Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, se partia e tij nuk ka asnjë votë për të dhënë, në rast se nuk ndihet e përfaqësuar në ndonjë marrëveshje të mundshme politike.
Ai tha se po bëhen përpjekje për t’u shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk ka arsyetim para popullit për një gjë të tillë.
Abdixhiku tha se ende nuk ka konsensus rreth parimeve.
“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë për më pak se një vit e gjysmë” – tha kryetari i LDK-së.
“Në këtë fazë, u dakorduam që të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, pra, edhe një herë po them, të katërtat me radhë” – shtoi ai.
Kur u pyet se në çfarë cilësie ishte e pranishme në takim ish-presidentja Vjosa Osmani, ai tha se ajo ishte si bartëse e listës së Lidhjes Demokratike.