Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet U.D. dhe kompanisë “M.L.L.C.”, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
“Sipas aktakuzës, gjatë muajit gusht 2024 në Prizren, i pandehuri U.D., në cilësinë e drejtorit të kompanisë ‘M.L.L.C.’, gjatë aplikimit në procedurën e prokurimit publik me titull ‘Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit’, në vlerë prej 80,825.60 euro, ka paraqitur dokumentacion të rremë, përkatësisht një faturë në vlerë prej 4,775.00 euro, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se dokumentacioni i paraqitur në kuadër të ofertës është verifikuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila ka konstatuar se fatura në fjalë nuk ishte e deklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Për të njëjtat veprime, aktakuza është ngritur edhe ndaj kompanisë “M.L.L.C.”.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
Po ashtu, për të pandehurin U.D., është kërkuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues, përkatësisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.