Anëtari i Kryesisë së PDK-së në Malishevë, Halit Zogaj, ka reaguar lidhur me diskutimet për një afrim të mundshëm të Fatmir Limajt dhe Nismës me Partinë Demokratike të Kosovës.
Zogaj ka thënë se asnjë vendim që lidhet me Nismën nuk mund të merret pa u konsultuar Dega e PDK-së në Malishevë, duke theksuar se vullneti i aktivistëve dhe votuesve të kësaj dege nuk mund të anashkalohet nga askush, pavarësisht pozitës apo emrit.
Ai ka kujtuar se, sipas tij, Nisma dhe Limaj i kanë shkaktuar dëmin më të madh politik PDK-së pikërisht në Malishevë, duke sjellë përçarje dhe dobësim të partisë në këtë komunë.
Zogaj ka theksuar se PDK në Malishevë nuk është kundër askujt personalisht, por është në mbrojtje të dinjitetit politik të anëtarësisë dhe të votuesve që, siç tha ai, nuk e kanë braktisur kurrë partinë.
Në fund, ai ka kërkuar që të mos ketë deklarime të nxituara pa u dëgjuar zëri i Degës së PDK-së në Malishevë, duke shtuar se PDK është ndërtuar me besnikëri dhe sakrificë, e jo me pazare të momentit.