Çifti Lani nga Llausha e Skenderajt, ish-ushtarë të UÇK-së kanë ndarë një rrëfim prekës, teksa kanë përcjellë vajzën e tyre, Artën, në mërgim, për shkak të mungesës së perspektivës dhe mundësive për punë në Kosovë.
Sipas tyre, gjatë luftës lanë familjet, rininë dhe ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën me shpresën se fëmijët e tyre do ta ndërtonin të ardhmen në një Kosovë të lirë.
“Ne luftuam kur ishte më e vështira. Çdo sakrificë e bëmë me bindjen se një ditë fëmijët tanë do të jetonin dhe do ta ndërtonin jetën e tyre këtu. Sot, me zemër të rënduar, po e përcjellim vajzën tonë në mërgim, jo sepse nuk e do vendin e saj, por sepse kushtet e jetesës dhe mundësitë për punë nuk janë ato që i meriton”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata e cilësojnë si një dhimbje të madhe faktin që, pas sakrificës për lirinë e vendit, shumë të rinj po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen larg Kosovës.
Megjithatë, ish-luftëtarët shprehen se do ta duan gjithmonë vendin e tyre dhe mbajnë shpresën që një ditë vajza e tyre, ashtu si shumë të rinj të tjerë, të ketë arsye të rikthehet dhe ta ndërtojë jetën në Kosovë.