Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skënderaj, ku u prit nga ushtruesi i detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës, Valon Hajdini, së bashku me gjyqtarë dhe përfaqësues të stafit administrativ.
Gjatë takimit, Gërvalla u informua për gjendjen dhe performancën e degës, ngarkesën me lëndë, efikasitetin në trajtimin e tyre, sfidat me të cilat përballet institucioni, si dhe masat e ndërmarra për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.
Ajo theksoi se reforma në drejtësi nuk është një premtim politik, por një domosdoshmëri shtetërore duke veçuar si shtylla kryesore të reformës pakon e pesë ligjeve për drejtësinë, procesin e vetingut dhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Republika e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmërinë dhe as të ecë përpara me institucione të dobëta. Drejtësia duhet të jetë e fortë, profesionale dhe e pakompromis ndaj paligjshmërisë”, deklaroi Gërvalla duke shtuar se vetëm një sistem i besueshëm i drejtësisë forcon besimin e qytetarëve dhe konsolidon shtetin e së drejtës. Ajo përfundoi se reforma në drejtësi është e paalternativë dhe se pandëshkueshmëria nuk është opsion për Kosovën.