E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Dëgjova një zë duke thënë vraje”, i dëmtuari rrëfen ngjarjen e rastit ku gjashtë persona akuzohen për vrasjen e vëllait të tij

Pejë- Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve Nderim, Basri, Agron, Ardit, Bahri dhe Ylli Gashi, për vrasjen e tani të ndjerit F.H., të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, i dëmtuari Mahmut Hoxha, rrëfeu ngjarjen tragjike se si të akuzuarit u janë vërsulur tre vëllezërve, me qëllim qëllim vrasjen e tyre, e ku i vrarë mbeti vëllai i tij F.H.

“Si kam dalë nga restoranti pa arrit tek vetura ende, kanë filluar të sjellin dhe mandej kur më kanë goditur në kokë, më ka humbur vetëdija. Por, nuk jam rrëzuar në ato momente, jam kthyer pas kerrit e kam parë që ju kanë gjuajtur vëllezërve të mij këta (duke ju drejtuar të akuzuarve), dhe në ato momente e kam marrë një guri në dorë, jam drejtuar në drejtim të këtyre, dhe në atë moment e kam dëgjuar një zë, kur ka thënë vraje”, tha i dëmtuari Hoxha.

I dëmtuari Hoxha, në cilësinë e dëshmitarit tha se ditën kritike kishin të rezervuar darkën e iftarit tek restoranti “Villa Park”, ku në ora 19:00, ishin nisur e gjithë familjëa me dy vetura, të cilat kishin qenë të parkuara 50-60 metra larg nga hyrja e restorantit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas një ore të darkës, i dëmtuari thotë se kishte dalë i pari me djemtë e tij në drejtim të veturave, ku tha se kishte filluar të errësohej.

Sipas tij, duke dalë nga aty e kishte dëgjuar zërin e bashkëshortes së tij, duke i thënë “ruju se të mytën”. Kur e kishte kthyer kokën prapa, tha se kishte pare 3-4 persona duke vrapuar në drejtim të tij, e më pastaj e kishin goditur me aq sa kanë mundur të gjithë, me mjete të forta.

Ai tha se kishte marrë një guri në dorë, por nuk kishte arritur t’i godiste, pasi që ata me të dëgjuar zërin “vraje”, tha se kishin e kishin goditur me armë në këmbën e majtë.

Hoxha theksoi se në momentin kur e ka marrë plagën, ka vrapuar tek dera e restoranitit për të kërkuar ndihmë, por në pjesën e derës së restorantit e ka parë një person duke bërë me duar e duke i thënë “vraje”.

I njëjti theksoi se duke dalë nga dera e restorantit, përsëri i ka parë vëllezërit e tij duke u goditur me mjete të forta, ndërsa shtoi se vëllai i tij tani i ndjerë, kishte qenë i shtrirë në tokë.

“Ka thënë njëri prej tyre, na u ka koqit arma, se të gjithëve ju kishim vra dhe ka sharë në mënyrë banale. Kur jam dalë prej restorantit, personi që e kam parë afër derës ka ndenjur me dorë në shokë dhe ka vëzhguar gjendjen nonstop ka kanë sillë personat e tjerë”, rrëfeu Hoxha.

Hoxha shtoi se personat që i kishin goditur, ishin nisur me veturë të tyre dhe më pas shoferi kishte dalë nga vetura duke i sharë të gjithë dhe duke ju thënë se do t’i vrasë të gjithë.

Ai shtoi se kishte marrë drejtimin për të kaluar mbi trupin e viktimës, mirëpo vëllai i tij e ka larguar viktimën.

I pyetur nga prokurorja Lumturije Vuçetaj se cili nga ta ishte personi që ka vëzhguar dhe ka dhënë urdhra, i dëmtuari u drejtua nga të akuzurit dhe shënjëstroi me gisht nga i akuzuari Basri Gashi, ndërsa për shoferin e veturës, tha se kishte qenë i akuzuari Agron Gashi.

Arsyeja pse janë sulmuar natën kritike, i dëmtuari Hoxha tha se nuk e di cila është sot e asaj dite.

Gjatë pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Nderim Gashi, avokatit Emrush Kastrati, gjendja emocionale e të dëmtuarit u keqësua, andaj seanca u ndërpre pasi Hoxha nuk mund të dëshmonte më.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë.  Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer