E martë, 7 Maj, 2024

Drenasi angazhon asistentë të pakualifikuar për nxënës me aftësi të kufizuara

Komuna e Drenasit ka angazhuar dy asistente për nxënësit me aftësi të kufizuara në mospërputhje me legjislacionin për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit. Për punësimin e tyre nuk pati as konkurs. Mungesën e konkursit e kanë pranuar në Drejtorinë e Arsimit, por nuk kanë dhënë sqarime për mungesën e kualifikimit të të punësuarave. Në Shoqatën Down Sindrom Kosova kanë thënë se është e papranueshme që të punësohen persona me mungesë të kualifikimit

Pa konkurs e pa kualifikim adekuat, Komuna e Drenasit ka punësuar dy asistente për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat “Fehmi e Islam Kastrati” dhe “Xheladin Gashi-Plaku”.

Njëra është punësuar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa tjetra në fillim të këtij viti. Që të dyja asistentet kanë të përfunduar arsimin e lartë në një kolegj privat. Njëra me 180 kredi, e tjetra me 240 në nivelin master.

Shkollimi i tyre nuk përputhet me udhëzimin administrativ për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit. Në aktin nënligjor, specifikohet se asistenti për nxënësit me aftësi të kufizuara duhet të këtë të përfunduar nivelin e pestë të kualifikimit, trajnim që organizohet nga Ministria e Arsimit për t’i ofruar njohuri me rol specifik në kujdesin e fëmijëve të kësaj kategorie.

“Arsimi me nevoja të veçanta – asistent për fëmijë – nxënës me nevoja të veçanta: niveli i 5-të (post sekondar) i kualifikimit asistent, për fëmijët – nxënës me nevoja të veçanta arsimore”, thuhet në nenin 8 të udhëzimit administrativ.

Drejtori i Arsimit në Drenas, Muhamet Gjokaj, ka pranuar se për pozitat e asistenteve nuk ka pasur konkurs.

Ai ka thënë se janë detyruar ta bëjnë këtë në mungesë të kandidatëve adekuatë. Mospërputhjen e kualifikimit të tyre me legjislacionin nuk e ka komentuar.

“Dy kontratat e lartcekura janë lidhur për kohë të caktuar deri më 30.06.2023 (në mungesë të kandidatëve adekuatë), sistemimi i tyre për vendet e punës është bërë nga lista pritëse e konkursit të datës 19 gusht 2022”, ka thënë Gjokaj.

Në Shoqatën Down Sindrom Kosova kanë theksuar se është e papranueshme që të punësohen persona me mungesë të kualifikimit.

“Mund të them që është tejet gabim dhe është mjaft ofenduese dhe diskriminuese. Nuk kisha dashtë ta quaj edhe vepër penale që për një pozitë të punësohet një person që nuk është i kualifikuar dhe ai person të punojë me fëmijët me aftësi të kufizuara, sepse shoqëria duhet të vetëdijesohet se fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë vetëm për persona të cilët do t’u qëndrojnë afër, mirëpo fëmijët me aftësi të kufizuara me theks të veçantë nxënësit, kanë nevojë për njerëz profesionistë që do t’i mbështesin dhe do t’i ndihmojnë nxënësit me aftësi të kufizuara sa i përket procesit të mësimnxënies”, ka thënë Sebahate Hajdini-Maliqi, nga Shoqata Down Sindrom Kosova.

Në Ministri të Arsimit janë arsyetuar me lejimin e rasteve të këtilla, duke thënë se ende nuk kanë marrë raport nga komunat për punësimet e asistentëve të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Sipas Ministrisë, konkurset janë ende në proces.

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer