Friday, May 22, 2026

Driton Ajazi merr drejtimin e PDK-së në Drenas deri në zgjedhjet e partisë

Driton Ajazi është emëruar Ushtrues Detyre i kryetarit të Degës së Partia Demokratike e Kosovës në Drenas, si dhe Shef i Shtabit Zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se këtë detyrë e ka pranuar me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe me mbështetjen e kryesisë së partisë dhe të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ajazi u shpreh se PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar dhe e afërt me qytetarët. Ai tha se Drenasi ka qenë gjithmonë një nga zonat më të forta të PDK-së dhe kërkoi unitet mes aktivistëve dhe mbështetësve të partisë.

Postimi:

Të nderuar aktivistë, struktura, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas,

Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përulësie, kam pranuar detyrën që, me kërkesë të Kryetarit të Partisë z. Bedri Hamza dhe me mbështetjen e plotë të Kryesisë Qendrore të PDK-së dhe të Kryetarit të Komunës z.Ramiz Lladrovci, të ushtroj funksionin e Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas, njëkohësisht edhe detyrën e Shefit të Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Drenas për zgjedhjet e 7 qershorit, deri në zgjedhjet e brendshme të partisë, kurdo që mbahen.

PDK-ja është trashëgimtarja politike e idealit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është zëri politik i sakrificës, i rezistencës dhe i luftës për liri. Kjo parti lindi nga njerëzit që i dolën zot Kosovës në ditët më të vështira të saj dhe që me guxim, vizion dhe përkushtim e kthyen ëndrrën për liri në realitet shtetëror.

Ne mbajmë me krenari trashëgiminë politike dhe kombëtare të themeluesve të partisë tonë, Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit z. Kadri Veseli dhe Kryeparlamentarit z. Jakup Krasniqi, njerëz që me angazhimin, sakrificën dhe përkushtimin e tyre u bënë simbol i lirisë, i shtetndërtimit dhe i dinjitetit kombëtar të Kosovës. Ata nuk ndërtuan vetëm një parti politike, por ngritën një frymë të tërë kombëtare, një ideal që sot vazhdon të jetojë në zemrën e secilit aktivist e mbështetës të PDK-së. Uroj t’i kemi së shpejti në mesin tonë, ku tash e 5 vite po mbahen padrejtësishtë në Hagë.

Drenasi ka qenë dhe mbetet zemra e pathyeshme e kësaj fryme. Kjo tokë ka dhënë luftëtarë, dëshmorë, sakrificë dhe besnikëri të pashoqe për Kosovën dhe për PDK-në. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet, afërsi dhe bashkim rreth vlerave tona të përbashkëta. Vetëm të bashkuar mund ta forcojmë edhe më shumë PDK-në dhe t’i japim Drenasit fitoren që meriton.

Në këtë rrugëtim nuk ka vend për ndasi apo përçarje. Ka vend vetëm për respekt, bashkëpunim dhe mobilizim të përbashkët. Dera ime do të jetë e hapur për secilin aktivist, secilën strukturë dhe secilin kontribues të kësaj partie, sepse fuqia e PDK-së gjithmonë ka qenë bashkimi i saj.

Sot është koha që të gjithë të qëndrojmë krah për krah për interesin e shtetit, qytetarëve dhe të ardhmes sonë politike.

Jam i bindur se me energjinë e rinisë, me përvojën e strukturave tona dhe me besimin e madh të qytetarëve, do ta dëshmojmë edhe një herë se Drenasi mbetet bastioni më i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Le të ecim të bashkuar, me besim, dinjitet dhe vendosmëri drejt fitores së madhe me 7 qershor dhe Bedri Hamza të jetë Kryeministri i vendit tonë.

Për Drenasin, për Kosovën dhe për idealin e atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe shtetin tonë!

#StopKrizësNdryshoKosovën
#PDK125
#BedriHamzaKryeminister

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer