E enjte, 28 Mars, 2024

Dy persona të maskuar ia marrin 57-vjeçarit qesen me 100 mijë euro para kesh

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Një grabitje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën ‘Idriz Seferi’ në Gjilan, ku hajnat dyshohet se kanë vjedhur hiç më pak se 100 mijë euro para të gatshme.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në momentin kur 57-vjeçari bashkë me një qese me plot para, ishte nisur nga banesa e tij për në këmbimore.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, posa kishte arritur në garazhin e ndërtesës, para tij kishin dalë dy persona të maskuar të cilët dyshohet se i kanë hedhur sprej në sy. Me të parë se me çfarë po përballej, viktima kishte tentuar që të ikë me shpejtësi, mirëpo të dyshuarit sërish i kishin hedhur sprej.

Si pasojë e kësaj, 57-vjeçari është rrëzuar për tokë dhe në atë moment të dyshuarit kanë arritur që t’ia marrin qesen me para dhe më pas janë larguar për në drejtim të panjohur me një veturë.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Ndërkohë viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital, për shkak të lëndimeve që pësoi gjatë ballafaqimit me grabitësit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer