Motra e ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, Adelina Muja Brahimi po synon pozitën e inspektores së nivelit fillestar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Në listën e publikuar nga ATK-ja figuron edhe emri i ish-kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për asambleiste në Mitrovicë, Adelina Muja Brahimi, e cila është e radhitur me numër rendor 381.
Sipas listës së publikuar më 26 qershor, kandidatët e përfshirë në të kanë kaluar fazën e aprovimit për pozitën e inspektorit të nivelit fillestar dhe pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim.
“Lidhur me datën, orën dhe vendin e mbajtjes së testit me shkrim, kandidatët do të njoftohen përmes ueb-faqes zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Kujtojmë se, në prag të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, Muja Brahimi kishte aplikuar edhe për një vend pune në Minierën e Trepçës. Ajo ishte renditur e para në listë për pozitën “Zyrtar i Shpenzimeve” në Trepça Sh.A., konkurs i shpallur më 11 nëntor 2025.

Ndërkohë, emri i saj tashmë figuron edhe në listën e kandidatëve të aprovuar për inspektorë të nivelit fillestar në ATK.
Ndryshe, Vetëvendosje vazhdimisht ka akuzuar qeveritë e kaluara për punësime familjare në institucione publike, ndërsa edhe vetë është përballur me akuza të ngjashme për punësimin e familjarëve dhe militantëve partiakë.
