Kandidati për deputet, Bardhyl Hasanpapaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit, duke thënë se kjo qeveri po vazhdon të sillet sikur të ishte ende në opozitë, ndonëse ka gjashtë vite që udhëheq me vendin.
Hasanpapaj ka potencuar se performanca e deritanishme e pushtetit tregon se ata nuk kanë vullnet apo kapacitet për të sjellë ndryshime pozitive, madje edhe nëse do t’u jepej kohë e pakufizuar.
“Kjo qeveri po sillet sikur të ishte ende në opozitë, ndonëse ka qenë në pushtet për 6 vjet. Atë që nuk e kanë bërë për 6 vjet, nuk do ta bëjnë as për 60 vjet, edhe nëse u jepet mundësia”, ka thënë ai.
Kandidati është ndalur veçanërisht te një deklaratë e fundit e kreut të qeverisë, të cilën e ka cilësuar si të mjerueshme dhe si një ikje të hapur nga përgjegjësia kryesore që ka një ekzekutiv përballë popullit të vet.
“E mjerueshme ta dëgjosh kryeministrin duke thënë: ‘Unë nuk jam këtu për projekte.’ Nëse nuk jeni ju aty për projekte dhe për t’u shërbyer qytetarëve, atëherë kush duhet të jetë?!”, shkroi Hasanpapaj.