Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Të dyshuarit jo gjithmonë kapen, pasi arrijnë të qëndrojnë në arrati. Një ndër ta është edhe Bujar Maliqi, i cili është kapur së fundmi në Mitrovicë, pasi dyshohet për së paku katër grabitje. Sinjali raportoi dje për arrestimin e tij, pas veprimeve hetimore nga ana e Policisë.
Pasi përfundoi në prangat e Policisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.
Seanca është mbajtur gjatë ditës së djeshme, me ç’rast Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, thonë burimet e Sinjalit.
Maliqi është identifikuar pasi Policia kishte nisur hetimet për një rast të grabitjes, që ndodhi muajin e kaluar në marketin QTA në Mitrovicë. 40-vjeçari po dyshohet për së paku katër grabitje që kanë ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në janar, si dhe në muajin shkurt.
Pasi Policia e zbuloi të dyshuarin, u krye bastisje në shtëpinë e tij në Zhabar të Mitrovicës, ku edhe u prangos i njëjti.
Kujtojmë se Maliqi dyshohet se më 21 shkurt, në QTA në Mitrovicë, nën kërcënimin e armës ka marrë 800 euro para të gatshme dhe më pas kishte ikur. Por pas qëndrimit në arrati për një kohë, ai përfundoi në prangat e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.