Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për KALLXO.com se ka iniciuar rast për veprën penale “manipulim me prova” ndaj pronarit të lokalit ku dyshohet se ka ndodhur incidenti mes kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Konfirmimi vjen një ditë pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se pamjet e kamerave të sigurisë lidhur me rastin ishin fshirë, por se ato janë rikthyer nga ekspertët e forenzikës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, tha për KALLXO.com se ndaj pronarit të lokalit tashmë është iniciuar procedurë penale.
“Mund ta konfirmojmë se ndaj pronarit të lokalit ku ka ndodhur rasti është iniciuar rast për vepër penale manipulim me prova. Është intervistuar dhe është liruar në procedurë të rregullt”– tha Preteni.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se gjatë hetimeve është konstatuar se pamjet e kamerave të sigurisë ishin fshirë, por sipas tij, ato janë rikthyer nga njësitë e forenzikës dhe tashmë janë pjesë e hetimit.
“Janë video të cilat në fazën fillestare janë shlyer DVR, Forenzika i ka kthyer dhe Prokuroria i ka në dorë”– deklaroi Sveçla në “Debat Plus” në RTV Dukagjini të martën më 02.06.2026.
Ai shtoi se ka parë raportin e incizimeve, ku sipas tij shihet qartë përfshirja e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndonëse ky i fundit, sipas Sveçlës, e ka mohuar një gjë të tillë gjatë deklarimit në Polici.
Sveçla pretendoi gjithashtu se ka pasur përpjekje për fshirjen e provave në bashkëpunim me pronarin e lokalit ku ndodhi incidenti.
“Mundohen me pronarin e lokalit me i fshi incizimet dhe patjetër që edhe pronari i lokalit duhet të ndiqet penalisht për dëmtim të provave” – deklaroi ai.
Sipas tij, nga incizimet rezulton se Mehani është sulmuar në tavolinë nga Lushtaku dhe persona të tjerë që ndodheshin pas tij.
Lidhur me angazhimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në këtë rast, Sveçla tha se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në veprimet e Policisë.
“Nuk e shoh asgjë të jashtëzakonshme, asgjë të papritur që Policia e Kosovës të kryejë detyrat e saj sipas vlerësimeve të veta” – tha ai.
Më 14.05.2026, kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli, janë sulmuar teksa po pinin kafe në një kafene në qytet.
Ata kanë akuzuar për sulmin kryetarin e Komunës, Sami Lushtakun, dhe disa persona të rrethit të tij.
Për shkak të lëndimeve të marra në këtë sulm, Mehani e Zabeli kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa Sami Lushtaku është intervistuar të nesërmen në Polici për rastin.
Sami Lushtaku ka mohuar se ka sulmuar Mehanin dhe Zabelin.