Drejtori i Urbanizimit në Komunën e Ferizajt (PDK), Arbër Bytyçi, ka reaguar ndaj pretendimeve për sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kandidatit për deputet, Hysni Mehanit në Skenderaj.
Bytyçi është distancuar nga ngjarja e sotme, duke theksuar se dhuna nuk është zgjidhje, pavarësisht, siç tha ai, “gjuhës denigruese” që sipas tij është përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka akuzuar disa individë brenda PDK-së për veprime që, sipas tij, në mënyrë të përsëritur i kanë shërbyer Lëvizjes Vetëvendosje në proceset zgjedhore.
“Si për çudi, në tri palë zgjedhje me radhë, shërbimin më të madh Albin Kurtit po ia bëjnë individë të njëjtë brenda Partisë Demokratike të Kosovës…”, ka shkruar ai, duke shtuar se veprimet e tilla, sipas tij, ndodhin pikërisht në periudha të ndjeshme zgjedhore kur LVV përballet me rënie të mbështetjes.
Postimi:
Si për çudi, në tri palë zgjedhje me radhë, shërbimin më të madh Albin Kurtit po ia bëjnë individë të njëjtë brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Pikërisht atëherë kur Lëvizja Vetëvendosje nis rënien e lirë, këta individë kujdesen që me veprimet e tyre ta ndalin këtë rënje. Edhe pse duket e pamundur, shpresoj shumë që këto veprime të mos jenë të koordinuara me Albinin.
Për kujtesën tuaj:
Në zgjedhjet e vitit 2021, afera e shitblerjes së tokës.
Në zgjedhjet e vitit 2025, ofendime të papranueshme.
Ndërsa ajo që ndodhi sot ishte kulmi, pikërisht në vigjilje të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Si pjesë e PDK-së, distancohem plotësisht nga veprimet e ndodhura sot në Skenderaj. Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje, pavarësisht gjuhës denigruese të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje.