E premte, 4 Tetor, 2024

“…jau kisha q… nanën plum”, shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për kanosjen e Ramiz Lladrovcit

Prishtinë – Me pajtim të palëve në procedurë, lënda ndaj të akuzuarit Muhamet Ajazi për kanosje të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkuar në ndërmjetësim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ajazi, avokati Ibrahim Shala i propozoi trupit gjykues që nëse është edhe vullneti i palës tjetër dhe me pëlqimin e prokurores së shtetit, që lëndën ta referojë në ndërmjetësim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin e avokatit Shala e mbështeti edhe i akuzuari Ajazi.

Tutje, i dëmtuari Ramiz Lladrovci deklaroi se pajtohet me propozimin e avokatit Shala që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli kërkoi të njoftohet kjo e fundit në afat sa më të shkurtë nëse është arritur apo jo marrëveshja e ndërmjetësimit mes palëve.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2023, kishte shqiptuar urdhrin ndëshkimor ndaj të akuzuarit Ajazi, të cilin e kishte dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 300 euro.

Mirëpo, ky vendim ishte kundërshtuar nga i akuzuari Ajazi përmes mbrojtësit të tij avokatit Ibrahim Shala dhe gjykata ka vazhduar me shqyrtim gjyqësor.

“E ka kundërshtu përmes meje”, tha avokati Shala.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, i pandehuri Muhamet Ajazi po akuzohet sepse më 12 nëntor 2021, në restorant “Lumi” në Komoran ka penguar kandidatin për kryetar komune në Komunën e Gllogocit tani të dëmtuarin Ramiz Lladrovcin në ushtrimin e veprimtarisë gjatë fushatës elektorale.

Aktakuza thotë se Ajazi këtë e ka bërë në atë mënyrë ku përderisa ishte duke qëndruar në restorantin e lartcekur afrohet tek dëshmitarët Ndriqim Bujupi, Lendrim Ibriqi dhe Besart Ajazi të cilin ishin duke qëndruar në atë restorant iu drejtohet me fjalët “shyqyr që ka përfunduar me kaq se jau kisha q… nanën plum”, duke aluduar në tani të dëmtuarin Lladrovci, për shkak të një konflikti që i dëmtuari kishte pasur gjatë asaj fushate zgjedhore me Fatmir Dugollin i cili njëherit ishte dhe përkrahës i tij.

Me këtë Ajazi, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja e kandidatit”, nga neni 208 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer