Lëvizja Vetëvendosje është dënuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për përdorimin e një vajze të mitur, të moshës 10 vjeçare në tubimin e këtij subjekti politik në Vushtrri. Vajza e mitur u ftua në skenë dhe u prezantua nga Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ajo para Kurtit, mallkoi kundërshtarët e Kurtit në zgjedhje, me fjalët, “ju vraft Zoti e Allahu”, duke vazhduar me brohorima, “Albin baba, Albin baba”, dërisa ky i fundit buzëqeshte e duarëtrokiste.
PZAP, ka pranuar ankesë nga IKD, LDK dhe ka trajtuar këtë ankesë, duke gjetur shkelje, anipse edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar ankesë. “Paneli shqyrtimit dhe vlerësimit të ankesës vëren se nga fotografitë dhe linku i ofruara si provë nga parashtruesit e ankesave, të cilat gjenden në shkresat e lëndëve, është konstatuar se në tubimin e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje më datë 31.05.2026, rreth orës 18.00, ka marrë pjesë edhe një fëmijë i mitur e veshur me rroba me logon e subjektit politik LVV, si dhe ka recituar para pjesëmarrësve në tubim, veprim ky qe bie në kundërshtim me dispozitat ligjore të nenin 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore nr.07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, me të cilën është përcaktuar se “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatë zgjedhore.” – thuhet në vendim.

“Lidhur me pretendimin nga përgjigja në ankesë se “Në rastin konkret nuk ekziston asnjë provë që e mitura është ftuar, organizuar, koordinuar apo angazhuar nga Lëvizja Vetëvendosje!…” Këto pretendime paneli i vlerëson si të pabazuar, për faktin se nuk është më rëndësi në këtë rastë se a ka pasur ftesë, organizim apo koordinim për të marrë pjesë e mitura në aktivitete politik, por me rëndësi është fakti se organizatori i këtij aktiviteti e ka lejuar që të marrë pjesë në këtë aktivitet politik, veprim ky i cili bije në kundërshtim me Rregulloren e sipërcituar.” – sqaron tutje vendimi.
Ndryshe, keqpërdorimi i vajzës në mitur në Vushtrri ngjalli reagime të forta në vend. Lëvizja Vetëvendosje e as Kryministri në detyrë, Albin Kurti, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kërkuar falje për këtë.