Një aksion i brendshëm i hetuesve të Doganës së Kosovës ka zbuluar një rast të dyshimtë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në kufi.
Gazeta Insajderi raporton se zyrtari doganor, Arton Lushaku, është kapur në flagrancë duke lejuar një mjet transporti që të kalojë pikën kufitare pa iu nënshtruar asnjë kontrolli të rregullt.
Hetuesit doganorë kanë nisur menjëherë verifikimet pas dyshimeve të para dhe kanë zbuluar se vlera e mallit që kaloi ilegalisht përmes kësaj linje kap shifrën e rreth 20 mijë eurove.
Pasi është dokumentuar rasti, hetuesit e Doganës kanë vepruar me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Zyrtari doganor, Arton Lushaku, është shoqëruar dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për këtë shkelje të rëndë.
Megjithatë, pas përfundimit të intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar dhe ndaj tij procesi penal do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Insajderi raporton se Dogana e Kosovës ka reaguar shpejt në rrafshin administrativ. Menaxhmenti ka marrë vendim zyrtar që Arton Lushaku të suspendohet nga detyra e tij deri në përfundimin e plotë të hetimeve penale dhe disiplinore që po zhvillohen ndaj tij.