E shtunë, 27 Prill, 2024

KEK’u e mbyll javën me dy kontrata një burimore, vlera e tyre mbi gjysmë milioni euro

Një ditë pas diskutimit në Kuvend dhe dështimit të themelimit të Komisionit Hetimor për tenderët një-burimor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i ka dhënë dy kontrata që peshojnë mbi gjysmë milioni euro përmes tenderëve të mbyllur.

Dy kontratat një-burimore të cilat i ka dhënë ndërmarrja publike, e cila nën menaxhimin e pushtetit aktual është përballur me akuza për keqpërdorimin e parasë publike, ndërlidhen me sigurimin e objekteve të KEK-ut dhe transportin e punëtorëve të saj.

As diskutimet e shumta dhe denoncimi nga opozita i kontratave të dyshimta një-burimore, nuk e ka ndaluar menaxhmentin e Korporatës Energjetike që në të njëjtën ditë, të premten e 29 marsit, të shpall fituesit e dy tenderëve përmes procedurave të negociuara me dy operatorë ekonomikë.

Dy kontratat e dhëna nga KEK-u peshojnë rreth 580 mijë euro.

Tenderi i parë për “Ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut për dy muaj (Prill – Maj 2024”, për të cilin janë planifikuar 449 mijë euro, i është dhënë kompanisë private “Rojet e Nderit”.

Kompania, me seli në Prishtinë, është shpërblyer në vazhdimësi që nga viti 2021 me tenderë të negociuar nga KEK-u për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve. Kompania është në pronësi të afaristit Kushtrim Krasniqi.

Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi, KEK-u ka negociuar vetëm me një operator për këtë kontratë. Negocimi nuk ka arritur as ta ulë çmimin e ofertës. Oferta fituese ka rezultuar për rreth katër mijë euro më e lart sesa mjetet që ishin destinuar.

Kontrata një-burimore e KEK-ut për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve /e-prokurimi.

Përfundimisht, kontrata për sigurimin e objekteve të KEK-ut ka shkuar në 453 mijë euro.

Procedura për përzgjedhjet e ofertës fituese ka zgjatur më pak se tri ditë. Negocimi është bërë më 27 mars, kontrata me dhënie është shpallur ditën pasuese, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet sot.

122 mijë euro të tjera të KEK-ut, do të shkojnë për transportin e punëtorëve të ndërmarrjes.

Edhe ky shërbim do të kryhet nga një kompani private e kontraktuar përmes një kontrate një-burimore nga KEK-u.

Tenderi për “Transportin e punëtorëve të KEK-ut për muajin Prill – Maj 2024” peshon 147 mijë euro dhe është i ndarë në dy pjesë.

Për këtë tenderë të mbyllur, Korporata Energjetike ka negociuar me vetëm dy agjenci transporti udhëtarësh, tregojnë të dhënat publike në platformën e-prokurimi.

Për llotin e parë të kontratës, i cili peshon 122 mijë euro, fituese është përzgjedhur oferta e kompanisë “Autotransporti” me seli në Dardhishtë. Ndërsa, për llotin e dytë është shpallur fituese oferta e biznesit individual Bujar Dervishi, me vlerë 25 mijë euro. Vlera e përgjithshme e kontratës është afër 150 mijë euro.


Njoftimi i KEK-ut për përzgjedhjen e dy ofertave fituese për transportin e udhëtarëve

Tenderët një-burimor kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësinë për çmime më të larta e për cilësi më të vogël.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka hedhur kritika ndaj ish-pushteteve për dhënien e kontratave një burimore, për çka sot vazhdojnë të heshtin dhe amnistojnë tenderët e mbyllur.

Para dy javësh, opozita inicioi debat parlamentar për qindra kontrata një-burimore të nënshkruara nga institucionet qeveritare, agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike që nga shkurti i vitit 2021, kur në pushtet u ngjit Lëvizja Vetëvendosje.

Të enjten, në një seancë plenare, u shqyrtua propozimi i opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat një-burimore, por iniciativa dështoi. Pushteti pamundësoi themelimin e komisionit hetimor duke mos marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e kontratave.

Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është i panevojshëm dhe kanë mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar. /Paparaci.com

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer