Nuk janë të rralla rastet kur prindërit përfshihen në telashe me stafin e shkollave ku fëmijët e tyre vijojnë mësimet. Kjo ndodh shpesh për shkak të pakënaqësive që ata kanë lidhur me trajtimin e fëmijëve nga mësimdhënësit, gjë që bën që situata në shumë raste të eskalojë në ofendime, kërcënime e dhunë fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur paraditen e sotme edhe në shkollën fillore të mesme të ulët në fshatin Gërdoc të Podujevës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një mësimdhënës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zhvilluar brenda hapësirave të shkollës, ku teksa arsimtari ishte duke mbajtur mësim në njërën nga klasat, prindi i një nxënësi dyshohet se e ka nxjerrë me forcë nga klasa dhe më pas e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte.
Si pasojë e dhunës që përjetoi, mësuesi ka marrë lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe para hetuesve policorë, i dyshuari ka pranuar se ka probleme me mësimdhënësin me fjalë.
Bazuar në dëshminë e tij, kjo ka ndodhur për shkak se viktima ia ka qortuar djalin dhe ka përdorur dhunë fizike ndaj tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.