Mosmarrëveshjet e momentit mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Një ndër shkaqet e shpeshta që bëhet mollë sherri mes qytetarëve, janë edhe hapësirat e parkingjeve. Kështu ndodhi dje pasdite në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Prishtinë, ku tre persona u përfshinë në një përleshje.
Sinjali mëson se gjithçka ka filluar pasi 34-vjeçari që është punëtor i një parkingu, ka sulmuar fizikisht pronarin e parkingut tjetër, duke e goditur atë me një shkop druri.
Kjo ka bërë që në rast të përfshihet edhe vëllai i pronarit, i cili i është kundërpërgjigjur me sulm 34-vjeçarit, duke e goditur po ashtu me një shkop druri.
Si pasojë e përleshjes, palët kanë marrë lëndime trupore, për çka edhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia.
Një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor personat e përfshirë në rast, të cilët janë intervistuar nga hetuesit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.