Një rast i pazakontë është regjistruar në Prishtinë, ku një i ri është paraqitur vetë në stacion policor për të njoftuar se kërkohej me urdhër-arrest aktiv, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.
Ngjarja ka ndodhur më 11 maj 2026.
Burimet bëjnë të ditur se A.Gashi rreth 27 vjeç ishte paraqitur rreth orës 09:50 në stacion policor dhe kishte njoftuar zyrtarët në pikën statike se ndaj tij ekzistonte urdhër-arrest aktiv.
Pas verifikimit në sistemin policor, është konstatuar se 27-vjeçari kërkohej nga Stacioni Policor në Skenderaj dhe ai në Vushtrri.
Sipas burimeve, i dyshuari nuk posedonte dokumente identifikimi, pasi kishte raportuar se ato i kishte humbur.
Me urdhër të Gjykatës, ai do të shoqërohet nga zyrtarët policorë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.