Një mosmarrëveshje pronësore në fshatin Klinë e Mesme në Skenderaj ka eskaluar në dhunë fizike dhe kërcënime, ndërsa rasti është zgjeruar edhe me dyshime për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2026 rreth orës 10:30.
Siç mëson Sinjali, pas pranimit të informatës për rrahje, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kontaktuar palët e përfshira, ku është kuptuar se konflikti kishte lindur si pasojë e një kontesti pronësor.
Palët janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa njëri nga të përfshirët ka marrë trajtim mjekësor për lëndime të lehta.
Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Me autorizim të prokurorit është kryer edhe bastisja në shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: dy karikatorë, 30 fishekë të kalibrit 7.62×39.
Pas këtyre gjetjeve, me udhëzim të prokurorit, rastit i është shtuar edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa rasti mbetet nën hetime.