E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Lladrovci: Rruga Komoran – Drenas – Skenderaj s’do të zgjerohet, Qeveria nuk ka vullnet

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se sot e ka kuptuar se nuk do të ndërtohet rruga me katër korsi, nga Komorani deri në fshatin Gllobar.

Ai ka bërë me dije se arsyet e Qeverisë në lidhje me mosndertimin e kësaj rruge nuk qëndrojnë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se asnjë pengesë nuk ekziston për zhvillimin e projektit me katër korsi, Komoran-Drenas- (Gllobar)- Skenderaj.

Sipas tij, në pyetje është vetëm mosvullneti i Qeverisë Kurti.

“Në prag të fushatave zgjedhore, është e kuptueshme që niveli qendror me militantët lokalë tentojnë t’ia rrisin vetes meritat për projektet e realizuara. Është i pranishëm fenomeni i mashtrimit ku planifikimi vlerësohet si punë e realizuar. Sot e mora vesh se nuk po ndërtohet rruga me katër korsi, nga Komorani deri në Glloobar gjoja se kjo rrugë “nuk është e shpronësuar”. Kjo temë, e nxitur në Kuvendin e Drenasit, ku pretendimi i opozitares së Vetëvendosjes, ka për synim që të pavërtetën ta shpallë si të vërtetë”, ka shkruar ai, duke dhënë sqarime tjera.

“Asnjë pengesë nuk ekziston për zhvillimin e projektit me katër korsi, Komoran-Drenas- (Gllobar)- Skenderaj. Nga drejtimi i Skenderajt deri në Gllobar është finalizuar. Kanë mbetur edhe rreth 9.200 metra gjatësi e papërfunduar. Rruga magjistrale Komoran-Drenas-Skenderaj është e shpronësuar në vitet ’70, është azhurnuar pjesa grafike në vitin 2018. Me një klikim të thjeshtë, në gjeoportal, kjo lehtësisht mund të verifikohet”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, në 5 vitet e fundit nuk është punua fare për këtë rrugë.

“Ka pesë vjet se në këtë rrugë nuk është punuar fare. Nuk qëndron se kjo rrugë nuk është e shpronësuar dhe nuk po ndërtohet, gjë për të cilën, e demantova. Kjo trase (Komoran-Drenas-Skenderaj), është e shpronësuar, por, ka munguar vullneti për të ndërtuar këtë rrugë gjatë pesë viteve të fundit”, ka vlerësuar Lladrovci.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer