E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Mos m’detyro me marrë alltinë”/ Babai i ish-punëtorit kërcënon pronarin e furrës, ia kërkon ‘borxhin’

Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë shkaktojnë incidente të ndryshme, të cilat eskalojnë në përleshje e kanosje serioze. Në të tilla raste jo rrallëherë përfshihen edhe punëtorët dhe pronarët e kompanive private, të cilët futen në sherr dhe përfundojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar pronarin e një furre buke.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari është babai i një ish punëtori të furrës, i cili pretendon se ish shefi i ka ngelur borxh, duke mos ia dhënë paratë të cilat detyrohet.

52-vjeçari ka vendosur që ta marrë vet drejtësinë në duar për të birin, me ç’rast ka shkuar te lokali i furrës, ku dyshohet se ka kërcënuar se do e shohin kush është dhe do i zhduk. Në një moment, ai madje dyshohet se ka eskaluar duke treguar se posedon armë zjarri në veturë.

E për të mos e lënë me kaq, pasi është larguar që aty ai ka vazhduar me kërcënime përmes mesazheve telefonike, ku i ka bërë me dije se nëse ankuesi nuk ia jep paratë brenda 24 orëve, nuk do të bëhet mirë.

Përballë kësaj situate, 31-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku me anë të dëshmisë së tij ka dhënë detaje lidhur me gjithë atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është ftuar që të paraqitet në stacion, ku më pas është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Kanosje’.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer