E shtunë, 27 Prill, 2024

Pamje ekskluzive nga rrahja në mes të kryeshefit të ujësjellësit dhe komshiut të tij, e pësoi edhe gruaja e Krasniqit (VIDEO)

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, të mërkurën në mbrëmje është përfshirë në një përleshje me një fqinj të tij që eskaloi nga debati verbal në sulm fizik. Nga kjo rrahje përveç Krasniqit, e pësoi edhe gruaja e tij, gjatë tentativës për të ndërhyrë në mes të tyre. Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive nga ky rast, ku shihet se Krasniqi dhe i dyshuari tjetër Besnik Sharani, janë rrahur me njëri-tjetrin, ndonëse vetëm ky i fundit përfundoi në ndalim policor.

Në pamjet e mëposhtme, shihet se si fillimisht ata bisedojnë mes vete, e më pas gruaja e Hasan Krasniqit tenton që ta largojë bashkëshortin nga vendi i ngjarjes. Nga aty ai niset sërish në drejtim të të dyshuarit tjetër, por gruaja i del sërish përpara dhe e pëson.

Sipas videos të siguruar nga sinjalizuesit e Sinjalit, rrahja ka nisur nga njëra anë e rrugës e ka vazhduar në anën tjetër, ku të dyshuarit vazhdimisht kanë sulmuar njëri – tjetrin.

Në fund, shihet se si i dyshuari Sharani, sulmon fizikisht edhe disa herë Krasniqin, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar se kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari Sharani është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa kryeshefi Krasniqi është intervistuar në cilësinë e viktimës, përkundër që dëshmohet edhe në pamje se edhe ai është i përfshirë në rast.

Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer