Drenica po përballet me largime.
Pas Faton Seferit, tani dha dorëheqjen e tij edhe presidenti i klubit, Thomas Wustefeld vetëm 1 vit që kur mori në dorë këtë post.
Lajmin e ka konfirmuar klubi nga Skënderaj, në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”.
Me keqardhje dhe pas një reflektimi të gjatë, kam vendosur të jap dorëheqje nga detyra e Presidentit, me efekt të menjëhershëm.Nga zemra dua t’i falënderoj të gjithë ata që gjatë muajve të fundit dhanë gjithçka nga vetja dhe sakrifikuan pa kursim, që FC Drenica ta ruante vendin në elitën e futbollit. Ajo që arritët së bashku ishte e jashtëzakonshme.Një falënderim krejt të veçantë dua t’ia shpreh Faton Seferit. Përkushtimi i tij i palodhshëm, angazhimi me zemër dhe gjithçka që bëri për këtë klub dhe për qytetin është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Kontributi i tij meriton respektin dhe mirënjohjen më të madhe. Më vjen sinqerisht keq që gjërat nuk morën drejtimin që të gjithë e kishim shpresuar dhe dëshiruar. Megjithatë, ne do t’i qëndrojmë besnikë fjalës së dhënë dhe do t’i realizojmë të gjitha zotimet që kemi marrë përsipër ndaj FC Drenicës. FC Drenicës, tifozëve të saj besnikë dhe gjithë qytetit i uroj me gjithë zemër shumë suksese në të ardhmen dhe vazhdimësi në elitën e futbollit kosovar”, shkruhet në njoftimin e gjermanit.