E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Qeveria gjermane s’e konfirmon pranimin e letrës së diasporës shqiptare për heqjen e shtetësisë serbe

Shqiptarët në Gjermani po kërkojnë ndryshimin e ligjit për shtetësinë.

Kërkesa e tyre është nisur në drejtim të kancelarit Olaf Scholz, përmes Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve Shqiptarë në Hamburg.

Diaspora po kërkon heqjen e shtetësisë serbe për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.

Përmes një letre, kjo organizatë konsideron se kjo praktikë vazhdon të aplikohet edhe pas ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Është e papranueshme që qytetarët kosovarë të vazhdojnë të regjistrohen me shtetësi serbe, përkundër faktit që Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008. Kjo situatë krijon ndasi të padrejta në trajtimin e qytetarëve”, thuhet mes tjerash në letër.

E Klankosova.tv ka dërguar pyetje në qeverinë gjermane, por të njëjtit kanë thënë se nuk mund ta konfirmojnë pranimin e një letre të tillë.

“Nuk mund të konfirmojmë marrjen e letrës që ju e përshkruani”, ka thënë një zëdhënëse e qeverisë gjermane.

Organizata në fjalë, ndërkaq, ka kërkuar që kjo praktikë të përfundojë dhe të fshihet automatikisht shtetësia serbe për të gjithë kosovarët, duke përfshirë edhe fëmijët e lindur në Gjermani, të cilët nuk duhet ta trashëgojnë këtë shtetësi.

Thuhet po ashtu se në Gjermani janë 565.000 shtetas kosovarë me prejardhje shqiptare, e të cilët janë shumë mirë të integruar dhe identifikohen shumë fort me Republikën Federale të Gjermanisë.

“Kontributi i tyre në kulturë, sport, ekonomi, shkencë dhe në fushën sociale është i pazëvendësueshëm. Edhe si qytetarë dhe votues, ata po fitojnë një ndikim gjithnjë e më të madh përmes kontributit të tyre në politikë dhe shoqëri civile”, u tha ndër të tjera në këtë letër, të nënshkruar nga Muhamet Idrizi, Agon Kamberi dhe Rainold Maçi.

Revista gjermane “Migazin” pati raportuar në të kaluarën për këtë problematikë. Në artikullin e vitit 2020, siç raportonte “Albinfo”, thuhet se Bavaria është i vetmi shtet federal gjerman (përveç Saksonisë), i cili automatikisht dhe pa përjashtim i konsideron kosovarët si serbë.

Prandaj, kur këta natyralizohen, u kërkohet të heqin dorë jo vetëm nga shtetësia e tyre kosovare, por edhe nga shtetësia “e tyre” serbe.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer