E martë, 30 Prill, 2024

Ramiz Lladrovci përkujton baashkëfshatarët dëshmorë e martirë: Krimet nuk harrohen as vjetrohen!

Sot ishte përvjetori i masakrës ndaj qytetarëve të Gllanasellës, me ç’rast, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në homazhe dhe vuri kurorë me lule.

“Kriminelët serbë janë ende të pandëshkuar pas kryerjes së këtyre vrasjeve. Krimet nuk harrohen as vjetrohen”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Sot u bënë 25 vjet nga rënia në altarin e lirisë të martirëve të Gllanasellës.

Bashkë me familjarë e qytetarë, bëra homazhe, vendosëm lule të freskëta dhe shprehëm nderim për të gjithë bashkëfshatarët martirë gjatë luftës tonë çlirimtare.

Forcat serbe ishin përqendruar në fshatin tonë me tanke e armatim të rëndë, duke vrarë e masakruar qytetarë të pafajshëm. Fshati gjatë luftës çlirimtare, ka qenë ndër fshatrat me më shumë se 70 dëshmorë e martirë dhe gati të gjitha shtëpitë ishin shkrumb e hi.

Forcat serbe masakruan kryesisht burra e disa prej tyre edhe në moshë të shtyrë. Në këtë ditë u vranë e masakruan edhe civilë të fshatrave rrëzë Qyqavicës.

Vrasja më e tmerrshme e forcave serbe, ishte ajo e Tafil Ali Nikës, 82 vjeçar, të cilit kriminelët ia kishin prerë kokën. Trupi dhe koka e tij ishin ekspozuar skaj rrugës që çon drejt fshatrave të Qyqavicës.

Kriminelët serbë janë ende të pandëshkuar pas kryerjes së këtyre vrasjeve. Krimet nuk harrohen as vjetrohen.

Sakrifica e popullit tonë është e madhe, në mesin e tyre edhe bashkëfshatarët e mi, ndoqën rrugën e lirisë, kauzën e drejtë për çlirim.

I përjetshëm është kujtimi për dëshmorët e martirët e Gllanasellës!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer