Në media u raportua se Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka lënë jashtë dhjetëshes së parë, Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin.
Për këtë të fundit u raporua se ai është pozicionuar me numër 11 si kandidat për deputet nga LDK-ja, ndërsa Hykmete Bajrami me numër 12.
Për këtë ka reaguar vetë Hoti në Facebook, ku ka shkruar se rëndësi ka numri i LDK-së, pasi numrat tjerë i përcaktojnë qytetarët.
“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët. I juaji, Avdullah Hoti”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se afati do të përfundojë të martën në mesnatë.
“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.