6 maj 2020, ora 07:40. Në punishten e një qendre tregtare, afër rrethit të QMI-së në dalje të Prishtinës, kishte ndodhur një vrasje e rëndë. Albion Strelli dyshohet se kishte qëlluar për vdekje me tre plumba në kokë dhe fytyrë ish-kolegun e tij A.S.. Rasti kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje paraprake në mes tyre, për shkak të transportit me veturën kombi i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin të punësuar të dy, viktima dhe i dyshuari.
Mbi një vit pas këtij rasti, më 29 mars 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj Albion Strellit, nga fshati Dobraje e Madhe i Komunës së Lipjanit, për dy vepra penale, “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe vëllait të tij Berat Strellit për “shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, pas marrëveshjes që i akuzuari Albion Strelli kishte pasur me të ndjerin A.S., i akuzuari Albion së bashkë më vëllain e tij, të akuzuarin Berat Strelli, kishin shkuar në shtëpinë e tyre dhe e kishin marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe ishin kthyer përsëri në vend punishte me veturën e tyre private. Prokuroria pretendon se të njëjtit pasi e kishin marrë armën kishin filluar fjalosjen mes të akuzuarit Albion Strelli dhe të ndjerit A.S., ku i akuzuari Albion Strelli me qëllim që ta privojë nga jeta kishte shtënë tri herë në drejtim të tij, duke e rrezikuar edhe jetën e shumë personave të tjerë që ndodheshin në vendpunishte. I ndjeri A.S. ishte qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, ku si pasojë e këtyre plagëve kishte ndërruar jetë në QKUK.
Pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar në prill të vitit 2021, në të cilën seancë dy vëllezërit e akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm për vrasjen, duke shprehur keqardhje se çka kishte ndodhur, ndërsa i akuzuari Albion Strelli e kishte pranuar fajësinë vetëm për “armëmbajtje pa leje”.
Ashtu siç është e paraparë me Kodin e Procedurës Penale, në këtë rast mbrojtja e të akuzuarve kishte paraqitur kërkesat për hedhjen e kësaj aktakuze duke i kundërshtuar provat e prokurorisë, mirëpo këtë kërkesë e kishte refuzuar kjo gjykatë, e cila ka vazhduar me shqyrtimin kryesor. Gjyqi për këtë rast ka vazhduar të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjatë gjykimit, në korrik të vitit të shkuar, ishte dëgjuar bashkëshortja e të ndjerit A.S., Suzana S.. Ajo kishte kërkuar nga gjykata drejtësi për burrin e vrarë që e lënë pas me fëmijë jetim.
“A. është nisur në punë, unë kam qenë në shtëpi dhe nuk e di si ka ndodhur rasti”, kishte deklaruar guraja e viktimës në Prokurori, derisa kishte përshkruar se si në ditën kritike është njoftuar nga vëllezërit e burrit për vrasjen e tij.
E njëjta në deklaratën e dhënë në prokurori gjatë fazës së hetimeve kishte deklaruar se pikërisht bashkëshorti i saj tashmë i ndjerë, i kishte punësuar dy të akuzuarit Strelli në firmën ku punonin ata. Sipas saj, ajo nuk kishte dëgjuar më parë nëse në mes të ndjerit dhe dy të akuzuarve kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje.
“Jetoj në kushte shumë të vështira ekonomike, i kam tetë fëmijë, nuk di si i rris këta fëmijë me 150 euro social”, kishte rrëfyer Suzana në deklaratën e saj para hetuesisë, e cila paraqitet edhe në aktakuzën ndaj të dyshuarve për vrasjen e bashkëshortit të saj që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
Përpos bashkëshortes së të ndjerit, gjatë gjykimit janë dëgjuar edhe vëllezërit e të ndjerit të cilët kishin punuar në firmën ndërtimore “9 vëllezërit” së bashkë me të ndjerin dhe dy të akuzuarit.
Edhe dëshmitarët Besnik dhe Bekim S. ishin deklaruar në gjykatë në lidhje me ditën kritike ku kishte mbetur i vrarë vëllau i tyre. A.S.. Në shqyrtim gjyqësor ata kishin treguar se mosmarrëveshja mes tyre kishte lindur kur i akuzuari Albion Strelli edhe pse kishte qenë i obliguar nga shefi i tyre, që të gjithë punëtorët t’i marrë dhe t’i dërgojë nga puna në shtëpi dhe anasjelltas, një ditë para ditës kritike nuk e kishte bërë këtë gjë.
Sipas tyre, në ditën kritike kur i akuzuari Albion kishte shkaur për ti marrë tek shtëpia, i ndjeri A.S i kishte kërkuar që të voziste ai dhe se i akuzuari kishte zbritur nga kombi bashkë me vëllain e tij Berat Strelli.
Pasi kishin shkuar në punë, ata kishin deklaruar se pas bisedës mes të akuzuarve Albion dhe Berat Strelli me shefin e tyre, i akuzuari Albion Strelli e kishte thirrë të ndjerin “Agim”, dhe sipas tij ka filluar të gjuaj me armë tri herë, ndërsa sipas tij, i akuzuari Berat Strelli i kishte thënë “shkrepja”.
Sipas tyre, pas këtyre të shtënave fillimisht të akuzuarit duke i kërcënuar me armë, nuk i kishin lënë që t’ia japin ndihmën e parë vëllait të tyre, ndërsa pasi ishin larguar, ai ka thënë se e kishin dërguar në spital, ku edhe kishin konfirmuar vdekjen e tij.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor në cilësinë e dëshmitarëve ishin dëgjuar edhe dy vëllezërit e tjerë të të ndjerit A.S., Bashkim dhe Naim S..
Pas afër një viti gjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar kërkesën për caktimin e ekzaminimit psikiatrik ndaj Albion Strellit, kërkesë të cilën e kishte parashtruar avokatja e tij Fehmije Gashi-Bytyqi, me arsyetimin se duhej përcaktuar aftësia apo paaftësia e tij mendore në kohen e kryerjes së veprës penale.
Pas kryerjes së ekspertizës psikiatrike, eksperti psikiatrik Ajet Bunjaku kishte deklaruar se i akuzuari Albion Strelli në momentin kur i ndjeri A.S. i është kërcënuar me lopatë, reagimi i tij ka qenë instiktiv e assesi i një tronditje të rëndë mendore.
Në shkurt 2023, i akuzuari Albion Strelli e kishte dhënë mbrojtjen e tij duke theksuar se askush nuk i kishte thënë që të shtie me armë në momentin kritik.
Ai kishte deklaruar se me të ndjerin ishin njohur edhe më herët dhe se nuk kishin pasur probleme deri në ditën kritike, shkruan gazeta online Reporteri.net. Kishte deklaruar edhe se ka qenë i autorizuar nga shefi i tij që të voziste kombin e kompanisë “9 vëllezërit”, dhe se ka qenë i autorizuar që viktimën dhe vëllezërit e tij, po ashtu punonjës të së njëjtës kompani, t’i dërgojë deri në fshatin Dobrajë të Lipjanit. Shtonte se ata kishin insistuar që t’i dërgojë deri në fshatin e tyre Gllanicë. Sipas tij, edhe pse ai nuk ka qenë i detyruar që ti dërgojë deri në fshatin e tyre, për shkak të presionit të vazhduar i kishte dërguar deri në fshatin e tyre.
Ndryshe nga deklarata e të dëmtuarve, i akuzuari në mbrojtjen e tij kishte deklaruar se ditën kritike kur kishte shkuar për t’i marrë në shtëpinë e tyre, vetëm njëri nga vëllezërit S. kishte hyrë në kombi, ndërsa i ndjeri dhe vëllai i tij Afrim dhe Isuf S. e kishin kapur për krahu dhe kishin filluar ta sulmojnë më grushte dhe se e kishin detyruar me forcë të hipte në kombi.
Sipas të akuzuarit, në këtë mënyrë e kishin sulmuar edhe vëllanë e tij, të akuzuarin Berat Strelli.
Pas kësaj ngjarje, i akuzuari kishte deklaruar, se ai dhe vëllai i tij kishin shkuar në shtëpi i kishin marrë çelësat e veturës dhe kishin shkuar në punë dhe më të mbërritur u kishin treguar shefave të tyre për problemin që e kishin pasur. Sipas tij, i ndjeri kishte shkuar në drejtim të tyre me lopatë në dorë dhe se e kishte kërcënuar me fjalët “me këtë kaci kam me ta hjek krytë”.
“Në atë moment nuk e di si e kam humb kontrollin qëllimi im ka qenë të gjuaj lart, nuk e di as vet se si kam shtënë në të, se kam qenë i frikësuar”, kishte deklaruar në prokurori i akuzuari Albion Strelli, i cili kishte shtuar se qëllimi i tij nuk ka qenë që ta privojë nga jeta viktimën.
Pas mbrojtës së të akuzuarit Albion Strelli, vëllai i tij i cili po akuzohet për shtytje në këtë vrasje, Berat Strelli e kishte shfrytëzuar në gjyq të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje.
Ky gjykim pritet të përfundojë gjatë këtij viti, konkretisht në prill 2023 kur pritet të shpallet aktgjykimi.