Tuesday, June 30, 2026

Rriten çmimet e biletave të autobusëve në Prishtinë, kjo është çmimorja e re

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga 1 korriku 2026 (nesër) do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik, ku pagesa përmes kuletës digjitale ose SMS-it do të jetë më e lirë se biletat fizike.

Sipas njoftimit të Komunës dhe Trafiku Urban, ndryshimet synojnë të avancojnë digjitalizimin e shërbimeve dhe të nxisin përdorimin e formave elektronike të pagesës në transportin publik.

Biletat e blera në mënyrë fizike do të kenë çmime më të larta krahasuar me ato digjitale, ndërsa ndryshimet përfshijnë të gjitha kategoritë, përfshirë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative.

Sipas vendimit, bileta njëdrejtimëshe fizike do të kushtojë 0.80 euro, ndërsa digjitale 0.60 euro. Bileta ditore 1.20 euro fizike dhe 1.00 euro digjitale, ndërsa ajo javore 6.00 euro dhe 5.00 euro.

Po ashtu, bileta mujore është caktuar 18.00 euro fizikisht dhe 14.50 euro përmes mënyrave digjitale, ndërsa bileta për linjën e Aeroportit 6.00 euro fizike dhe 5.00 euro digjitale.

“Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale”, thuhet në njoftim.

Deri tash një biletë ditore kushtonte 80 centë. Kjo do të bëhet 1.2 euro në pagesë në dorë dhe 1 euro përmes “Kuletës Digjitale”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer