E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP’së me propozim të Qeverisë, GJK: Vendimi anti-kushtetues

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK’së për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit, Kimete Gashi. Shkarkimi i Gashit ishte bërë më 13 korrik të vitit të kaluar, me propozim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Kushtetuesja ka gjetur se vendimi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën, raporton Express.

“Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës. Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, i kishte paraprirë Vendimi [PSH. 397/409/22] i Bordit të OSHP-së i 11 tetorit 2022, përmes të cilit ishte anuluar njoftimi i Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3””, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se “Një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme”.

Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së. Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Kuvendi e kishte shkarkuar Gashin në seancën e 13 korrikut, me 58 vota pro./Express

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer