Manchester United ka shkarkuar Ten Hag nga pozita e tij e menaxherit të skuadrës
Në një deklaratë të lëshuar për media, klubi i njohur anglez ka lajmëruar shkarkimin e trajnerit.
“Erik ten Hag është larguar nga pozita e tij si menaxher i skuadrës së parë të Manchester United. Ne jemi mirënjohës për Erik dhe atë çfarë ka bërë ai gjatë kësaj kohe me ne, i dëshirojmë gjithë të mirat në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.
“Ruud van Nistelrooy do ta drejtojë skuadrën si trajner i përkohshëm, i mbështetur nga skuadra e tanishme e trajnerëve, derisa në krye të skuadrës të vije një trajner i ri”.
“Fati nuk është në anën time”
Erik ten Hag ka thënë se është “duke i munguar fati” te Manchester United, pas humbjes 2-1 ndaj West Ham, që i ka bërë ata të bien në vendin e 14 në Premier League.
Kjo ishte humbja e katërt për “Djajtë e Kuq” në nëntë ndeshje këtë sezon. Megjithatë, Ten Hag ka mbajtur një qasje optimiste, duke besuar se skuadra e tij mund të përmirësohet, pasi ata po luajnë një futboll cilësor.
“Në këtë moment, padyshim që fati nuk është në anën time, por nuk është çështje e imja, është çështje e ekipit, dhe fatkeqësisht nuk është në anën tonë. Edhe sezoni i kaluar nuk ishte ndryshe, por në fund e kthyem situatën, dhe jemi të vendosur që do të ndodhë përsëri”, tha ai.
Ai theksoi se, nëse skuadra vazhdon të luajë siç ka bërë në ndeshjet e fundit, si ato ndaj Brentford dhe Fenerbahçe, ata do të kenë mundësi për të rikuperuar.
E ardhmja e Ten Hag në Old Trafford është nën vëzhgim pas fillimit të dobët të sezonit. Pronari i klubit mbajtën një takim për të diskutuar mbi të ardhmen e tij dhe ka pasur zëra për zëvendësimin e tij me ish-trajnerin e Barcelonës, Xavi. Ten Hag ka nënshkruar një kontratë të re që zgjat deri në vitin 2026, por rezultatet e dobëta mund ta vendosin atë në rrezik.
Në ndeshjen e ardhshme, Manchester United do të përpiqet të rikthejë formën e tyre të mirë në ndeshjen ndaj Leicester City në Kupën EFL