Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës në qendër të Skenderajt, ku një person mbeti i lënduar pas një përleshjeje që dyshohet se përfshiu edhe përdorimin e armës, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja është raportuar më 12 maj 2026 rreth orës 11:15, në afërsi të Sallës së Kulturës “Hasan Prishtina”.
Sipas informatave, Policia kishte pranuar njoftim se dy persona po përlesheshin mes vete dhe se njëri prej tyre kishte armë në dorë.
Burimet bëjnë të ditur se kur njësitë policore kanë arritur në vendngjarje, kanë gjetur një person të lënduar, ndërsa i dyshuari ishte larguar.
Në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë, që dyshohet të jetë shkrepur nga një armë e shkurtër me gas.
Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe shoqëruar në Polici Sh.M., rreth 75-vjeçar, i cili dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur B.M., rreth 73-vjeçar me armë në pjesën e kokës dhe më pas edhe me grushte.
Nga i dyshuari është sekuestruar një armë me gas e tipit “RECK MIAMI 92F”, kalibër 9 mm, së bashku me një karikator dhe gjashtë fishekë me gas.
Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Skenderaj dhe Mitrovicë, por për shkak të lëndimeve është dërguar në QKUK në Prishtinë.
Pas intervistimit dhe me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet si: “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”.