Teksa janë numëruar rreth 85 për qind e votave në nivel vendi, kandidatja më e re në listën e PDK-së, Tringa Bujupi nga Drenasi, ka arritur të sigurojë mbi 11 mijë vota, duke u renditur në mesin e dhjetë grave më të votuara të Partisë Demokratike të Kosovës.
Rezultati i saj po konsiderohet si një nga surprizat më të këndshme brenda PDK-së në këto zgjedhje. Vetëm në komunën e Drenasit, Bujupi ka marrë rreth 6 mijë vota, që nënkupton se afërsisht gjysma e votuesve të PDK-së në këtë komunë ia kanë besuar votën edhe asaj, një sukses i jashtëzakonshëm për një kandidate që po hyn për herë të parë në garën parlamentare.
Pavarësisht moshës së re, Tringa Bujupi ka ndërtuar gradualisht profilin e saj politik dhe rezultati i arritur dëshmon se ka fituar besimin e një numri të madh qytetarësh. Ky rezultat pritet të jetë një shtysë e fortë për angazhimin e saj politik në të ardhmen, duke e bërë një nga figurat më premtuese të gjeneratës së re në PDK.
Interesant mbetet edhe fakti se Drenasi këtë herë ka koncentruar në masë të madhe votën tek kandidatët e vet. Sipas rezultateve aktuale, Altin Krasniqi ka siguruar 6.876 vota, ndërsa Fadil Demaku 6.311 vota, dy kandidatë që tashmë llogariten shumë afër sigurimit të mandatit të deputetit. Ndërkaq, Isak Neziri ka marrë 5.845 vota, duke dëshmuar po ashtu mbështetje të konsiderueshme nga elektorati drenicas.
Rezultatet tregojnë se Drenasi ka arritur të mobilizohet fuqishëm rreth kandidatëve të tij, duke i shndërruar ata në mesin e emrave më të votuar të PDK-së në nivel vendi. Megjithatë, zhgënjyes mbetet numri i ulët i pjesëmarrësve në votime. Ndonëse gjatë fushatës u krijua përshtypja e një uniteti më të madh brenda strukturave politike dhe elektoratit, rezultatet e pjesëmarrjes treguan një realitet tjetër.
Pjesëmarrja më e ulët se sa pritej ngre pikëpyetje serioze për mobilizimin e votuesve dhe kërkon analizë të thellë nga strukturat lokale, në mënyrë që të identifikohen arsyet dhe të merren masa konkrete për të shmangur një situatë të ngjashme në proceset e ardhshme zgjedhore.