Thursday, June 11, 2026

Xhamat e errët në vetura, Gjykata Supreme shfuqizon dispozitat e Udhëzimit Administrativ: Ndalimi i paligjshëm, s’ka bazë ligjore

Gjykata Supreme i ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ për xhamat e errët të veturave, për shkak të mungesës së bazës ligjore. Në mesin e dispozitave të shfuqizuara është edhe ajo që i jepte kompetencë Ministrit të Brendshëm, për të vendosur në raste të jashtëzakonshme nëse duhen lejuar apo jo.

Supremja ka konstatuar se Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar, shkruan Reporteri.net.

‘Përkundrazi, legjislacioni në fuqi parashikon mundësinë e modifikimeve në automjete, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve të përcaktuara me ligj”, theksohet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme ishte paditur lidhur me këtë çështje nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës, paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Gjykata vlerësoi se këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka konstatuar se paragrafi  i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar dhe për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm.

“Organi administrativ nuk mund të rezervojë për vete autorizimin për të lejuar raste individuale të një veprimi që vetë ligji nuk e ndalon”, thuhet në vendim.

“Në vendimin e saj, Gjykata ka theksuar se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime apo kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore. Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodhen në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik.

“Ndërkaq, sa i përket paragrafit 2 të nenit 7, Gjykata ka gjetur se ai përbën një dispozitë administrative dhe teknike që rregullon evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit dhe nuk vendos kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin. Për këtë arsye, kjo dispozitë ka mbetur në fuqi”, thuhet tutje në vendim.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer