Wednesday, June 17, 2026

ZKA gjen parregullsi në një tender 1.47 milionë euro të Komunës së Malishevës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mangësi në menaxhimin e një kontrate kornizë për “Rregullimin dhe mirëmbajtjen verore-dimërore të rrugëve dhe lumenjve në territorin e Komunës së Malishevës”, me vlerë të parashikuar prej 1.47 milionë euro, shkruan rajoni.org.

Sipas raportit të auditimit, në dosjen e tenderit ishin përcaktuar gjashtë kategori me peshë përkatëse prej 40%, 7%, 3%, 20%, 10% dhe 20%, në përputhje me Rregulloren për Prokurimin Publik, e cila kërkon që peshët të reflektojnë rëndësinë reale të kategorive dhe të mos ketë devijime të mëdha gjatë realizimit të kontratës.

Megjithatë, auditimi ka konstatuar se gjatë zbatimit të kontratës ka pasur devijime të konsiderueshme ndërmjet peshëve të planifikuara dhe realizimit faktik të punëve. Sipas gjetjeve, njëra nga kategoritë ka arritur nivel realizimi nga 40% në 57%, me vlerë 584,086 euro nga gjithsej 1,004,091 euro sa ishte vlera e realizuar e kontratës.

Auditorët vlerësojnë se kjo tregon se peshimi fillestar nuk është bazuar në një analizë të saktë të nevojave reale të komunës. Sipas raportit, problemi ka ardhur si rezultat i përcaktimit jo real të peshëve në fazën e planifikimit dhe mungesës së mekanizmave adekuatë për rishikim dhe kontroll gjatë zbatimit të kontratës.

Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se devijimet e tilla mund të ndikojnë në vlerësimin jo të drejtë të ofertave gjatë procesit të tenderimit dhe të krijojnë rrezik për shfrytëzim joefikas të fondeve publike.

Të fundit

Shpallje

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer