Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se ka nënshkruar themelimin e grupit punues i cili, sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet”, shkroi Sveçla në Facebook, duke e prezantuar këtë nismë.
“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Krijimin e xhandarmërisë e paralajmëroi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrëmë.
“Në mandatin e ardhshëm do ta formojmë xhandarmërinë, e cila do të kujdeset për krimin dhe korrupsionin, sidomos në zona kufitare, do të mbrojë kufirin, e cila do të luftojë terrorizmin”, tha Kurti në KTV.
I pyetur nëse kjo do të jetë në kuadër të policisë, Kurti, pasi e pohoi këtë, Kurti shtoi: “Xhandarmëria është diçka mes policisë dhe ushtrisë. Si etnitet është diçka më shumë se polici, më pak se ushtri. Ajo është e veçantë”.
Këtu Kurti u pyet se si mund të funksionojë kjo për kufirin në veri ku FSK s’mund të shkojë.
Në përgjigje, ai tha se i “vjen dita edhe kësaj çështje”, derisa u zotua se këtë do ta bëjë me NATO’n.