Me rastin e Ditës së Çlirimit, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë homazhe dhe ka vlerësuar lart sakrificën e heronjve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi, të cilët ranë heroikisht në Betejën e Likoshanit dhe Qirezit më 28 shkurt 1998, shkruan rajoni.org.
Në postimin e tij në facebook, Nura ka shkruar se inaugurimi i shtatoreve të dy heronjve në qendër të Qirezit përfaqëson jo vetëm një akt nderimi për veprën e tyre, por edhe një dëshmi se populli i Kosovës nuk harron ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Postimi:
Në këtë ditë të shënuar të lirisë, përulemi me respekt dhe mirënjohje para veprës së heronjve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës, duke rënë heroikisht në Betejën e Likoshanit dhe Qirezit më 28 shkurt 1998.
Inaugurimi i shtatoreve të tyre në zemër të Qirezit nuk është vetëm një nderim për dy luftëtarë të lirisë, por një dëshmi se populli ynë nuk harron ata që me gjakun e tyre shkruan kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë.
Sot, teksa gëzojmë lirinë, kujtojmë se ajo nuk erdhi rastësisht. Ajo u ndërtua mbi sakrificën e dëshmorëve dhe heronjve që vendosën atdheun mbi jetën e tyre.
Lavdi e përjetshme heronjve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Urime Dita e Çlirimit!
