Sefer Demiri nga shoqata humanitare “Zarfi i Mërgimtarit” ka shprehur një falënderim të përzemërt për donatorin Ramadan Memedi, me origjinë nga Maqedonia dhe me banim në Londër.
Sipas njoftimit, Memedi ka dhuruar plot 19 mijë e 891 euro, një kontribut i madh që do të shkojë për realizimin e një projekti me rëndësi të veçantë – hapjen e një kuzhine humanitare.
Demiri thekson se shumë shpejt shoqata do të funksionalizojë kuzhinën, ku pritet të ushqehen qindra familje në nevojë, duke sjellë një mbështetje konkrete për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.
“Zoti e shpërbleftë Ramadanin dhe të gjithë donatorët anë e mbanë botës”, thuhet në mesazhin e falënderimit nga shoqata “Zarfi i Mërgimtarit”.
Ky donacion konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë për këtë iniciativë, duke dëshmuar solidaritetin e diasporës shqiptare në mbështetje të kauzave humanitare.
