Dyshimet për favorizimin e një kompanie në një tender me vlerë të parashikuar rreth 1.9 milion euro në QSKUK, janë forcuar ndjeshëm. Kompania për të cilën Paparaci javën e kaluar raportoi se po favorizohej në këtë tender, është shpallur fituese e kontratës me çmim 1.7 milion euro. Ajo, vlerësonte vet se çdo ofertë mbi 900 mijë euro përbënte “krim” me fondet publike.
Bora Dental ankohej se çdo ofertë mbi 900 mijë euro për pajisjet që kërkonte t’i blinte Qendra Stomatologjike Klinike e Kosovës (QSKUK), përbënte një “krim” me fondet publike.
Denoncimin për planifikim të “vjedhjes së drejtpërdrejtë të buxhetit” në tenderin për furnizim me pajisje dentare të shpallur nga QSKUK-ja, kompania e paraqiti vitin e kaluar përmes një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ajo, ankohej se vlera e parashikuar e tenderit në shumën 1,899,000.00 euro krijonte diferencë prej rreth një milion eurove mbi vlerën reale që kishin pajisjet në treg.
“Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro që përbën vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit”, thuhej në denoncimin e Bora Dental Sh.P.K., në ankesën e dorëzuar më 7 tetor të vitit të kaluar.
Rreth gjysmë viti më vonë, kompania në pronësi të Yll Bajramit dhe Taulant e Fisnik Gashit, është rekomanduar fituese e tenderit. Jo me çmim 900 mijë euro siç pretendonte se vlenin pajisjet e kërkuara nga QSKUK-ja, por me një diferencë prej 800 mijë eurove mbi këtë shumë.
Të premten e 15 majit, QSKUK-ja e shpalli fituese konsorciumin e kryesuar nga Bora Dental Sh.P.K me ofertë 1,720,222.18 euro, bazuar në një njoftim të publikuar në platfomën e-prokurimi këtë javë.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit të lartëcekur”, thuhet në njoftim.
Dy konsorciumet e tjera, të cilin ofertuan me çmime dukshëm më të lira sesa Bora Dental, u eliminuan nga gara nga Komisioni i Vlerësimit të Tenderëve, me arsyetimin se nuk kishin plotësuar kriteret teknike. Ato kishin ofertuar me çmime prej 1.27 milion, përkatësisht 1.34 milion euro.
Tenderi i QSKUK-së, i shpallur në shtator të vitit të kaluar me vlerë të parashikuar të kontratës prej 1,889,000.00 euro, parasheh furnizimin e klinikës me pajisje dentare dhe laboratorike të cilat përdoren për trajtimin dhe diagnostikimin e pacientëve në kuadër të shërbimeve stomatologjike publike.
Specifikat teknike të këtij tenderi janë ndryshuar disa herë gjatë procedurës, e cila ka kaluar dy herë nëpër filtrat e Organit Shqyrtues të Prokurimit, mekanizmit kryesor mbikëqyrës të prokurimit publik.
Ndryshimet dyshohet se i kanë shkuar përshtat pikërisht kompanisë Bora Dental Sh.P.K., e cila fillimisht e akuzonte QKSK-në për “vjedhje” dhe “planifikim kriminal” të buxhetit për këtë procedurë.
Ajo e kishte denoncuar publikisht tenderin si veprimtari të paligjshme dhe vjedhje të parasë publike.
Kompania, në pronësi të Yll Bajramit dhe Taulant e Fisnik Gashit, e kishte akuzuar vitin e kaluar QSKUK-në për tejkalim të vlerës së kontratës për rreth 900 mijë euro. Bazuar në këtë denoncim të kompanisë, vlera reale e pajisjeve të kërkuara nuk e kalonte shumën prej 900 mijë euro.
“Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro që përbën vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit”, pretendonte Bora Dental Sh.P.K. në një ankesë të dorëzuar në OSHP-së më 7 tetor të vitit të kaluar.
Kjo procedurë “nuk është vetëm e paligjshme dhe diskriminuese, por përmban shenja të qarta të një veprimi kriminal që do të duhej hetuar menjëherë”, bënte thirrje urgjente kompania në ankesë.
Por, rrethanat ndryshuan brenda më pak se një viti. Ndryshoi edhe oferta e kompanisë Bora Dental Sh.P.K..
Në prill të këtij viti, pas ndryshimit të kritereve dhe specifikave të tenderit sipas ankesës së kompanisë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kompania u vendos në pozitë kontradiktore me vetveten, duke ofertuar për të njëjtin tender me çmim prej 1.7 milion eurove.
Taulant Gashi, njëri nga pronarët e Bora Dental, i tha Paparacit përmes një përgjigjeje me shkrimjavën e kaluar se kompania, në kuadër të këtij procesi prokutimi, veproi “gjatë gjithë kohës në përputhje me Ligjin”.
“Bora Dental ka vepruar gjatë gjithë kohës në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe të gjitha veprimet tona janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta dhe mjeteve juridike të parapara me legjislacionin në fuqi”, tha Gashi.
Ndërsa, QSKUK-ja nuk ka komentuar ende mbi procedurën e dyshimtë të tenderimit, edhe pse Paparaci ka kërkuar të mërkurën e kaluar sqarime nga Qendra Stomatologjike Klinike e Kosovës lidhur me këtë proces./Paparaci
