Saturday, May 2, 2026

Dyshime per konflikt të intersit: Kryeshefi i KEK-ut në dy pozita njëkohësisht, drejton institucion publik dhe kompani private

Bazuar në legjislacionin në fuqi në Kosovë, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Gramos Hashani, mund të gjendet në situatë të konfliktit të interesit. Kjo pasi, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ai figuron edhe si drejtor në një kompani private, raporton Kiks Kosova.

Bëhet fjalë për kompaninë “NeëHome360.com L.L.C”, e cila ka adresë zyrtare në Obiliq. Kompania është themeluar më 22 janar 2024, periudhë kur Hashani mbante një tjetër pozitë të lartë në KEK, atë të Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit. Sipas të dhënave zyrtare, aktiviteti primar i kompanisë është programimi kompjuterik, ndërsa si aktivitet sekondar figurojnë agjencitë e patundshmërive.

Hashani figuron si menaxher në këtë kompani, së bashku me dy bashkëaksionarë të tjerë, me pjesëmarrje të barabartë në pronësi. Po ashtu, pronësia e tij në kompani është deklaruar edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Lidhur me këtë çështje, por pa përmendur emra zyrtarësh, Kiks Kosova i është drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të sqaruar nëse një zyrtar i lartë publik mund të jetë njëkohësisht menaxher apo person i autorizuar në një kompani private. Në përgjigjen e saj, Agjencia ka theksuar se një situatë e tillë përbën konflikt interesi.

Sipas Agjencisë, konflikti i interesit përkufizohet si një rrethanë në të cilën një zyrtar ka interes privat që ndikon, mund të ndikojë apo edhe vetëm duket se ndikon në ushtrimin e paanshëm dhe objektiv të detyrës së tij zyrtare. Agjencia thekson se zyrtarët duhet ta shmangin konfliktin e interesit, qoftë ai real, i mundshëm apo edhe vetëm në dukje.

Më tej, duke iu referuar dispozitave ligjore në fuqi, Agjencia sqaron se, një zyrtar i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar apo pjesë e organeve drejtuese në subjekte private fitimprurëse, përveç rasteve të veçanta të përcaktuara me ligj.

“Konkretisht, sipas Nenit 13 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar apo pjesë e organeve drejtuese ose mbikëqyrëse në persona juridikë privatë fitimprurës, përveç rasteve të përcaktuara me ligj. Po ashtu, sipas Nenit 15 të këtij ligji, zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit dhe drejtimit në një ndërmarrje”.

Sipas agjencisë, në rastet kur një zyrtar zotëron aksione apo pjesë të kapitalit në një kompani, ai është i obliguar që të transferojë të drejtat e menaxhimit te një person i besuar brenda afateve ligjore dhe për këtë të njoftojë me shkrim Agjencinë.

Kiks Kosova ka adresuar pyetje edhe në adrës të KEK-ut për të marr një sqarim lidhur këtë çështje, por deri në publikimin e kësaj storje, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer