Fermeri Smajl Balaj nga fshati Llausha i Skenderajt ka njoftuar se temperaturat e ulëta kanë shkaktuar dëme të mëdha në dredhëzat e tij.
Ai thotë se ngricat e forta i kanë shkatërruar të gjitha, madje as mbrojtja me najlon nuk ka mundur t’i shpëtojë bimët.
Sipas Balajt, pas shumë muajsh punë, kanë mbetur vetëm pak fruta, por edhe ato rrezikojnë të humbin në ditët në vijim për shkak të parashikimit të motit.
“Ky vit iku. Nga sot po vazhdojmë përgatitjet për vitin tjetër”, ka shkruar ai, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë dhe të kërkojë bukën me djersë, me shpresë se Zoti do të sjellë më të mirën.

