Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone dhe Kryetarin i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneral Seán Clancy.
Fillimisht Gjeneral Jashari iu uroi mirëseardhje delegacionit të udhëhequr nga Admiral Dragone dhe Gjeneral Clancy, me që rast i njoftoi për zhvillimet aktuale brenda forcës, me theks të veçantë mbështetjen e FSK-së në kuadër të operacioneve ndërkombëtare. Gjithashtu u diskutua edhe për të arriturat e deritashme të FSK-së, ku u theksua nevoja për avancimin e bashkëpunimit në aktivitetet e përbashkëta, në mes të FSK-së dhe organizatave respektive.
Gjatë takimit u vlerësua lartë zhvillimi dhe kontributi i FSK-së në kuadër të këtyre aktiviteteve, si dhe u adresuan nevojat për bashkëpunim në sferat me interes të përbashkët. Poashtu, u vlerësua kontributi i KFOR dhe NALT në mbështetje të forcës.
Në fund të takimit, palët u zotuan për vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit korrekt dhe profesional në realizimin e përbashkët të aktiviteteve të ndryshme.