Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka kundërshtuar dekretimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë nga presidentja Vjosa Osmani, nene të të cilit kishte rrezuar Gjykata Kushtetuese.
Në një konferencë për media, ai ka thënë dekretimi i këtij ligji pa u adresuar kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e përshtatshmërisë është shkelje për herë ët dytë e Kushtetutës.
“Me këtë akt, fatkeqësisht, edhe presidentja e Kosovës e cila e ka dekretuar këtë ligj, ka bërë shkelje të Kushtetutës, duke iu bashkuar kështu shkeljeve të vazhdueshme që bën Qeveria. Pasi nuk kanë arritur që në rrugë normale kushtetuese të imponojnë agjendën e tyre politike në legjislacion, shumica parlamentare në bashkëpunim me presidenten, kanë vendosur që të bëjnë një akt të paprecedentë të mashtrimit publik me tekstin e ligjit dhe shkeljes së Kushtetutës”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka bërë me dije se institucionet është dashur t`i respektojnë kërkesat e Kushtetueses.
“Gjykata ka gjetur një varg vërejtjesh, veçanërisht ka rrëzuar atë që ishte quajtur nga Qeveria si “Kriteri i Përshtatshmërisë për Punësim”, duke deklaruar se ky kriter, kështu siç është, është jokushtetues dhe nuk mund të përfshihet në ligj. Në aktgjykim u ngarkua Kuvendi i Kosovës dhe Presidentja e Kosovës, që ligjin ta dekretonte ligjin dhe ta botonin në gazetën zyrtare pa këtë formulim. Pra, ligji të ishte i pastruar nga kriteri i përshtatshmërisë. Për habinë tonë, kur morëm ta lexojmë ligjin e publikuar në Gazetën Zyrtare, pamë se ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë në përvojën kushtetuese dhe parlamentare të Kosovës së pavarur”, ka thënë ai, duke shtuar se ky është një gabim.
“Ligji ishte dekretuar pa u adresuar kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e përshtatshmërisë. Pra, përshtatshmëria ekziston edhe sot në Ligjin e Dekretuar nga Presidentja dhe është botuar në Gazetën Zyrtare, përkundër se Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar atë”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, kjo po ndodh për herë të parë në vend.
“Një gjë është e sigurte, se ky pushtet, përveç keqqeverisjes së skajshme, izolimit ndërkombëtar, korrupsionit, do të mbahet mend më së shumti për shkeljet sistematike që ia ka bërë aktit më të lartë juridik të shtetit tonë – Kushtetutës së vendit”, ka theksuar Gruda.