E mërkurë, 17 Korrik, 2024

Ish-deputeti i VV-së padit Malin e Zi, po i kërkon më shumë se 28 milionë euro

Biznesmeni amerikan me origjinë nga Kosova, Florin Krasniqi, paditi Malin e Zi për ndalimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve të vogla në lumin Gjuriçka në Plavë – pjesa veriore e Malit të Zi.

Ai kërkon më shumë se 28 milionë euro, tha për Radion Evropa e Lirë Bojana Qiroviq, mbrojtëse e interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi.

“Shteti u padit nga persona juridikë [kompanitë e Krasniqit] për dëme të pretenduara prej 1.2 milion eurosh dhe fitime të humbura prej 27 milionë eurosh, në lidhje me një marrëdhënie koncesionare kontraktuale për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Plavë”, tha Qiroviq.

Kontrata për koncesionet me kompaninë e Krasniqit, për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, u nënshkrua në vitin 2014 nga Qeveria e kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Atëkohë, koncesionet u dhanë për 30 vjet.

Të dhënat se kur është ndërprerë kontrata, janë kontradiktore: Qeveria thotë fundi i vitit 2020, kurse, sipas Krasniqit, bëhet fjalë për fundin e vitit 2019.

Radio Evropa e Lirë, as pas shtatë ditësh, nuk mori përgjigje në pyetjet e dërguara tek avokatja Ana Gjukanoviq, motra e Millo Gjukanoviqit, e cila përfaqëson Krasniqin në mosmarrëveshjen me shtetin malazez.

Shkëputjes së kontratës i kontribuuan edhe protestat e vendasve dhe të sektorit joqeveritar në komunat veriore të Malit të Zi, kundër këtij projekti qeveritar.

Krahas kontratave koncesionare, Qeveria u dha investitorëve subvencione të larta shtetërore, të cilat, deri në verën e vitit 2019, i paguanin qytetarët, në kuadër të faturave mujore të rrymës.

Pse u ndërprenë kontratat?

Sipas dokumentacionit zyrtar, të cilin e pa REL-i, kompania kosovare e Krasniqit “Triangle” mori një kontratë koncesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla në lumin Gjuriçka në Plavë, në qershor të vitit 2014.

Florn Krasniqi
Florin Krasniqi

Megjithatë, kompania e tij pretendon se e mori kontratën tre vjet më vonë, në prill të vitit 2017.

Dokumentet qeveritare tregojnë se kompania e Krasniqit “Plava Hydro Power”, me seli në Ulqin, paraqiti në vitin 2014 një kërkesë në Qeverinë e Malit të Zi për dhënien e kushteve urbanistike dhe teknike për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Në katër vjetët në vazhdim, kjo kompani mori nga autoritetet një nga dy lejet e nevojshme të ndërtimit, dhe atë më 18 tetor të vitit 2018.

E, ndërkohë, ndërtimi i hidrocentraleve u kundërshtua nga popullata lokale dhe sektori joqeveritar i mjedisit.

Në protestat në Plavë dhe në qytete të tjera në veri të Malit të Zi, ata thanë se “futja e lumenjve në tubacione” do ta rrezikojë mjedisin dhe “do t’i lërë pa ujë të pijshëm”.

Ata i mbështetën edhe organizatat ndërkombëtare. Balkanwatch, me seli në Pragë, tha në shtator të vitit 2019 se “njerëz të afërt me Gjukanoviqin ose Partinë e tij Demokratike të Socialistëve përfituan nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla”.

Qeveria u dorëzua përballë presionit të protestave dhe, në seancën e 17 tetorit, 2019, vendosi t’i nisë procedurat për shkëputjen e kontratës.

“Marrë parasysh se koncesionari kishte probleme me popullsinë vendase, Qeveria konstatoi se duhet të fillojë procesi i përfundimit të marrëveshjes”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

Në rastin e kompanisë së Krasniqit, Qeveria tha se nuk janë respektuar as afatet kontraktuale.

Çfarë pretendon kompania e Krasniqit e çfarë Qeveria e Malit të Zi?

Kompania e Krasniqit pretendon se shteti i Malit të Zi është fajtor për ndërprerjen e kontratës.

Sipas saj, Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi, më 9 dhjetor, 2019, e ka njoftuar me një shkresë, se Qeveria e ka ngarkuar atë me fillimin e procesit të shkëputjes së marrëveshjes.

“Qeveria nisi procesin e negociatave për ndërprerjen e marrëveshjes dhe zgjodhi procesin gjyqësor pa alternativë”, thanë nga kompania e Krasniqit për Radion Evropa e Lirë.

Në dokumentacionin zyrtar të Qeverisë, në anën tjetër, përmendet dhjetori i vitit 2020.

Siç thuhet aty, vetë Krasniqi, përmes zyrës së tij avokatore, e njoftoi shtetin për përfundimin e marrëveshjes së koncesionit, më 4 dhjetor, 2020.

Atë ditë, përndryshe, u zgjodh Qeveria e re e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, pasi Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit i humbi zgjedhjet tre muaj më herët.

Procesi i ndërprerjes së kontratës u përfundua nga Qeveria e Krivokapiqit, më 30 dhjetor, 2020, kur u miratua informacioni se “koncesionari nuk ka dhënë garanci bankare në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratë” dhe për këtë arsye “kushtet për ndërprerjen e kontratës janë plotësuar”.

Krasniqi, pastaj, ngriti padi kundër Malit të Zi.

Çfarë thuhet në procesverbalet e gjykatës?

Pavarësisht përpjekjeve disaditëshe, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë ndonjë koment nga Florin Krasniqi.

Kompania e tij nuk specifikoi shumën që kërkon Krasniqi nga Mali i Zi.

“Përgjigjja jonë është e qartë – shumën do ta përcaktojë eksperti gjyqësor i caktuar nga gjykata”, thanë nga kjo kompani për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertiza tregoi se, për shkak të pezullimit të ndërtimit, kompania “Plava Hydro Power” e Krasniqit humbi rreth një milion euro fitim real dhe mbi 21.5 milionë të parealizuar, sepse koncesioni ishte për 30 vjet.

Përfaqësuesja e interesave të shtetit në këtë mosmarrëveshje e kundërshtoi këtë konstatim.

Qiroviq tha se ka kërkuar raporte shtesë të ekspertëve, të cilat gjykata i ka miratuar.

“Procedura e ekspertizës është në zhvillim e sipër”, tha Qiroviq.

Gjyqi i radhës u caktua për në fund të majit.

Çfarë thonë banorët e Plavës për këtë kontest?

Ramo Gutiq, drejtor i organizatës joqeveritare “T’i ruajmë lumenjtë e Malit të Zi”, njëherësh edhe banor i Plavës dhe pjesëmarrës në protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në lumin Gjuriçka, beson se Krasniqi nuk ka bazë ligjore për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti i Malit të Zi.

“… sepse burimi i lumit Gjuriçka, ku Krasniqi ka dashur të ndërtojë dy hidrocentrale, e furnizon gjithë popullsinë e Plavës me ujë të pijshëm. Vetëm ky fakt i thotë të gjitha”, thotë Gutiq për Radion Evropa e Lirë.

Gutiq thotë se të gjitha kontratat koncesionare dhe dokumentet mbështetëse të investitorëve, përfshirë të Krasniqit, janë të pavlefshme, sepse nuk korrespondojnë me situatën në terren.

“Ky dokumentacion nuk është bërë sipas rregullave dhe kushteve në terren, por për para”, thotë ai.

Gutiq thotë, po ashtu, se ata që i kanë nënshkruar, duhet të mbajnë përgjegjësi për lejet e dhëna.

Shton se, pavarësisht luftës së tyre, dy hidrocentrale të vogla janë duke u ndërtuar në Parkun Kombëtar Prokletije.

“Njëri është në Babin Pole, e tjetri është në rajonin Jara, në lindje të Plavës, në kufi me Kosovën. Burimet dhe ujëmbledhësit e atyre hidrocentraleve të vogla janë në zonën e Parkut Kombëtar Prokletije”, thotë Gutiq.

Një numër padish

Florin Krasniqi nuk është i vetmi që e paditi Malin e Zi për biznesin e parealizuar me hidrocentralet e vogla.

Deri më tani, nëntë ish-koncesionarë e kanë paditur shtetin, i konfirmuan REL-it nga Gjykata Ekonomike e Malit të Zi.

“Nëntë procedime civile janë në vazhdim e sipër, për të vërtetuar ndërprerjen e kontratës, kompensimin e dëmeve faktike dhe fitimet e humbura. Duke pasur parasysh se janë çështje që nuk kanë përfunduar ligjërisht, nuk mund të japim informacione më të detajuara”, tha gjykatësi zëdhënës, Vlladimir Bullatoviq.

Ai është gjykatës edhe në rastin Krasniqi.

Kush është Florin Krasniqi?

Krasniqi merret me prodhimin e energjisë elektrike edhe në Kosovë. Atje operon përmes kompanisë “Triangle”, me seli në Pejë.

I lindur në vitin 1963 në Kosovë, ai u largua prej aty për në SHBA në vitet ‘90.

Sipas burimeve jozyrtare të REL-it, ai ka një biznes të zhvilluar ndërtimi në Nju Jork dhe themeloi “Triangle” me qendër në Bruklin.

Krasniqi u kthye në Kosovë para bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer