Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë e me burgim deri në pesë vjet. Një vepër e tillë po dyshohet se është kryer nga menaxherja e qendrës tregtare ‘Super Viva’ në Prizren, e cila është denoncuar gjatë ditës së djeshme në Polici, nën dyshimin se ka përvetësuar mijëra euro. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se objekt i hetimit lidhur me këtë rast është e dyshuara K.Tafaj, 30-vjeçare – e cila ushtron detyrën e menaxheres në qendrën ky dyshohet se u “avulluan” mbi 31 mijë euro.
Dyshimet ndaj saj u ngritën pas parregullsive që dyshohet se janë zbuluar që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar dhe lidhen me shumën e parave të raportuara, e cila dyshohet të ketë lëvizur kohë pas kohe dhe përgjegjësinë për këtë e mban e dyshuara Tafaj. Rasti u denoncua gjatë ditës së djeshme dhe dy dëshmitarët që kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, kanë thënë se përgjegjësia për mungesën e mijëra eurove bie mbi menaxheren Tafaj, por nuk kanë deponuar dëshmi.