E premte, 4 Tetor, 2024

KPM-ja tregon tri arsyet e rikthimit të kanaleve të Arena Sport

Jeton Mehmeti, kryetari i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, ka dhënë detaje për arsyet e shfuqizimit të vendimit për pezullimin e kanaleve serbe ‘Arena Sport’ në operatorët kabllorë.

Të ftuar për raportim në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, bordi i KPM-së është përgjigjur rreth vendimit të tyre lidhur me kthimin e kanaleve serbe Arena Sport.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti ka deklaruar se janë bazuar në tri pika kryesore para marrjes së vendimit për shfuqizimin e vendimit të tyre paraprak.

Sipas Mehmetit, si bazë për shfuqizimin e vendimit të tyre është garancia që kanë marrë nga operatorët kabllorë dhe vetë drejtuesit e kanaleve serbe për mos transmetimin e pamjeve që ishin transmetuar më parë.

Ai ka deklaruar se është marrë për bazë edhe interesi qytetar, për shkak të eventeve që transmetohen nga këto kanale.

“Sa i përket shfuqizimit të vendimit tonë për pezullimin të kanaleve të Arena Sport, përgjigja jonë është se kanë pushuar rrethanat të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë. Ne kemi marrë garancion nga operatorët dhe vetë kanalet se pamje të tilla nuk do të paraqiten kurrë dhe kemi pasur parasysh interesin e qytetarëve për të pasur qasje në evente të tilla që i ofrojnë këto kanale”, deklaroi Mehmeti.

Deputetët e pushtetit kanë kërkuar sot shkarkimin e Bordit të KPM-së.

Më 3 tetor të vitit 2023, KMP-ja kishte marrë vendimin për pezullimin e menjëhershëm të kanaleve sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë. Ky vendim është shfuqizuar nga vetë KPM pak ditë më parë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer