E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kryetari i Drenasit përdor gjuhë kërcënuese e fyese ndaj ekipit të telivizionit të njohur

Fyerje e gjuhë kërcënuese ka përdorur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndaj ekipit të KOHËS që gjatë ditës ka shkuar në zyrën e tij për t’ia marrë një prononcim lidhur me grantin e performancës që u ndahet komunave.

Gazetari i KOHËS, Nexhat Tovërlani, e përshkroi gjuhën që kryetari i Drenasit e përdori.

“Ai gjatë kësaj kohe ka përdorur gjuhë fyese, duke thënë që KTV-ja është ‘televizion i poshtër’, ‘po të kishte gjykata do iu theja në mes juve si KTV’. Disa herë është afruar edhe fizikisht afër meje, duke e ngritur zërin për një çështje që as s’ isha përgjegjës dhe as që ishte ideja e stories”, tha Tovërlani.

Lladrovci i referohej një raporti të publikuar në KTV më 2021, për të cilën ai pati deponuar ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe e pati humbur rastin.

E fyerjet ai i vazhdoi edhe pasi ekipi i KOHËS i kërkoi të mos përdorte gjuhë të tillë.

“Fyerjet dhe kërcënimet e kryetarit Lladrovci kanë vazhduar edhe pasi që ia kam kujtuar atij që kemi shkuar për një temë tjetër të diskutojmë dhe jo për këtë çështje. Madje më është drejtuar me ‘çka po i çon hundët’ e ‘mos më shiko ashtu, sepse nuk të duroj’. Deri në këtë nivel ka shkuar gjuha e kryetarit Lladrovci”, tha Tovërlani.

Pas kësaj ekipi i KOHËS u largua nga zyra e Lladrovcit pa ia marrë një prononcim rreth temës që ndërlidhet me një reagim të tijin ndaj Auditorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Arsimit e asaj të Shëndetësisë, të cilat i akuzoi se e pamundësuan përfitimin e grantit për komunën që e drejton.

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer