E hënë, 6 Maj, 2024

Kuvendi e rrëzon rezolutën për lirimin e çmimit të energjisë elektrike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar propozim-rezolutën për lirimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Të enjten, deputetët e rrëzuan këtë propozim-rezolutë të prezantuar në një seancë të muajit janar të këtij viti nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputetët e mazhorancës abstenuan në votim.

“Me 29 vota për, asnjë kundër, 55 abstenime, konstatoi se Kuvendi nuk e miraton rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike”, tha udhëheqësja e seancës, nënkryetarja Saranda Bogujevci.

Propozim-rezoluta përmbante rekomandim për ZRRE-në që brenda afatit të anulojë vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe “të marrë vendim për uljen e çmimit të saj”.

Më poshtë gjeni të plotë propozim-rezolutën e propozuar:

  1. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;
  2. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;
  3. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.
  4. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike;
  5. Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj rezolute.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer